A mund të pushoheni nga puna pa ndonjë paralajmërim?

Sipas Ligjit të Punës të Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 03/L-212), ndërprerja e kontratës së punës pa paralajmërim është e lejuar vetëm në rrethana specifike. Në shumicën e rasteve, punëdhënësi është i detyruar të respektojë afatet e njoftimit dhe procedurat e parapara me ligj.

Sipas nenit 70, paragrafi 1.6 të Ligjit të Punës, punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës pa periudhë paralajmërimi nëse:

• Punëtori është fajtor për përsëritjen e një keq sjelljeje më pak serioze ose të shkeljes së detyrimeve;

• Performanca e punëtorit mbetet e pakënaqshme përkundër paralajmërimit me shkrim.

Në këto raste, punëdhënësi duhet të ketë dhënë më parë një përshkrim të shkruar të performancës së pakënaqshme, një afat të caktuar për përmirësim dhe një deklaratë se dështimi për përmirësim do të rezultojë me largim pa paralajmërim të mëtejmë.

Afatet e njoftimit për ndërprerjen e kontratës:

Në rastet e tjera, punëdhënësi duhet të respektojë afatet e njoftimit të përcaktuara në nenin 71 të Ligjit të Punës, të cilat varen nga kohëzgjatja e punësimit:

• 30 ditë kalendarike për punësim nga 6 muaj deri në 2 vjet;

• 45 ditë kalendarike për punësim nga 2 deri në 10 vjet;

• 60 ditë kalendarike për punësim mbi 10 vjet.

Nëse keni dyshime se largimi juaj nga puna nuk është bërë në përputhje me këto dispozita ligjore, mund të kërkoni ndihmë ligjore ose të paraqisni ankesë pranë Inspektoratit të Punës.