Lëvizja FOL, më 9 dhjetor 2024, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion ka ndarë “Çmimin për Guxim Qytetar”.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani kishte deklaruar se në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kemi një arsye të veçantë për t’u mbledhur dhe për të festuar guximin dhe integritetin. “Për të 15-tin vit radhazi, Lëvizja FOL ndan “Çmimin për Guxim Qytetar,” dhe këtë vit kemi vendosur ta ndajmë pak më herët, për të nderuar një person të jashtëzakonshëm që ka bërë shumë në luftën kundër korrupsionit.”
Sipas saj, këtë vit, ky çmim shkon për një sinjalizuese – znj. Makirete Dibrani. Znj. Dibrani tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke ngritur zërin kundër abuzimeve serioze në institucionin e saj dhe raportoi keqpërdorimet serioze brenda këtij institucioni, të cilat lidhen me vendimet mbi faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit duke mbrojtur interesin publik dhe duke luftuar kundër keqpërdorimeve financiare. Pavarësisht presioneve, ajo qëndroi e palëkundur, dhe sot, ne e nderojmë atë me mirënjohjen më të lartë.
“Guximi i znj. Dibrani na kujton se ndryshimi fillon me një akt të vetëm. Prandaj, të frymëzohemi nga veprimi i saj dhe të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri ku integriteti triumfon mbi çdo pengesë dhe drejtësia bëhet realitet për të gjithë”, tha Demolli-Nimani.
Çmimin këtë vit ia kishte ndarë ish-presidentja, znj. Atifete Jahjaga, e cila në fjalën e saj vlerësoi angazhimin dhe guximin e znj. Dibrani si sinjalizuese. Jahjaga theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në luftën kundër parregullsive dhe korrupsionit.
Fituesja e Çmimit për Guxim Qytetar, Makfirete Dibrani kishte theksuar se ky rrugëtim kërkoi shumë sakrifica. “Sot qëndroj këtu sepse besova se e vërteta dhe drejtësia duhet të dilnin në pa, pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta. Kur u përballa me shpërdorimin e dhjetëra miliona euro nga ata që kishin për detyrë të mbronin interesin publik nuk mund të rrija në heshtje”.