26 vite nga vrasja e avokatit Bajram Kelmendi

Oda e Avokatëve të Kosovës ka përkujtuar përvjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, ku në njoftim thuhet:

Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Avokati Kelmendi së bashku me dy bijtë e tij ishin rrëmbyer nga forcat serbe në orët e para të natës së 25 marsit 1999, ditë e enjte, ora 2 pa 15 minuta.

Rrëmbimi ndodhi vetëm disa orë pasi NATO nisi bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.

Lajmin për vendndodhjen e trupave të tyre, bashkëshortja e avokatit dhe nëna e Kastriotit e Kushtrimit, avokatja e shquar, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars. Kufomat e tyre ishin gjetur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Avokati Kelmendi kishte përgatitur një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Tribunalin e Hagës.

Veprimtaria e tij si avokat, me një angazhim të jashtëzakonshëm për drejtësi dhe çështjen kombëtare, na obligon të gjithëve që të kërkojmë drejtësi për krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe dënimin e kriminelëve serbë.

Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut.

I përjetshëm qoftë kujtimi për avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *